Industria Nxjerrëse në Shqipëri, jo në linjë me zhvillimet botërore për mbrojtjen e mjedisit

Për të lexuar artikullin origjinal, klikoni këtu.

Znj. Hajnaj, cili është roli i EITI-t në Shqipëri?

E thënë thjeshtë Nisma për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse është instrumenti më i rëndësishëm për të kontrolluar menaxhimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore.

Është instrumenti për të kuptuar nëse burimet natyrore, kjo pasuri kombëtare është mallkim apo bekim për popullsinë që jeton në ato rajone por edhe vendin në tërësi.

Instrumenti që mbështet fuqimisht dhe i jep forcë shoqërisë civile të kontrollojë dhe detyrojë qeverinë apo biznesin aktiv në industrisë nxjerrësë, të jenë të hapur dhe të përgjegjshëm për të siguruar që të ardhurat nga nafta, mineralet apo burimet ujore të përdoren për zhvillim sa më të qëndrueshëm të vendit.

Celësi për të kuptuar se çfarë është ofruar në marrëveshjet kontraktore nga qeveri të ndryshme me biznesin e industrisë nxjerrëse. Cilat dhe sa janë detyrimet që biznesi ka kundrejt shfrytëzimit të këtyre pasurive që janë pronë e vendit dhe popullit të tij.

Cilët janë pronaret apo përfituesit realë (e rendesishme të kuptohet nëse politikanë të ndryshëm janë përfshirë për interesa vetjake).

Cilat dhe sa janë përfitimet e komunitetit që jeton në zonat ku shfrytëzohen ato burime.

Cfarë dëmesh sjell industria nxjerrësë në mjedis dhe detyrimet e kompanive për rehabilitimin e tij.

Si dhe sa pushteti vendor bashkëpunon me komunitetin dhe shoqërinë civile dhe nëse investon për projektet me të rëndësishmë  komunitare përfitimet nga taksat e industrisë nxjerrëse si renta minerare apo fee koncesionare, etj.

Sa përfiton vërtetë qeveria shqiptare dhe qytetarët shqiptarë nga industria e nxjerrëse

Të gjithë personat fizik apo juridik që janë të licencuar për të qenë aktiv në industrinë nxjerrëse apo për shfrytëzimin e burimeve natyrore, janë të detyruar bazuar në marrëdhëniet kontraktuale të paguajnë një taksë që klasifikohet si taksë kombëtare që quhet renta minerare, për hidrokarburet, metalet, gurët dekorativë etj. si dhe fee konçesionare për hidroenergjinë, të cilat paguhen në kohën e shitjes së produktit.

Klasifikimi i rentës minerare bëhet sipas grupeve: për mineralet metalike është nga 4 deri 10%, nafta dhe gazi 10%, qymyret dhe bitumet 5-6%, mineralet dhe materialet e ndërtimit nga 4-7%. Gjithashtu fee konçesionare nga 2-10% e cilat varet nga dakortësitë e marrëveshjeve kontraktuale.

Sa përfitojnë qytetarët shqiptarë nga renta minerare?

Nëse do të flisnim në tërësi si vend perfitimet janë siç u përmendën më sipër në varësi të prodhimit i cili mund të ndryshojë nga viti në vit.

Po të shohim në veçanti, popullsia që jeton në zonat ku zhfrytëzohen realisht burimet natyrore,  që është pasuria e tyre, përfitimet janë shumë të vogla, madje shpesh të parëndësishme.

Në vitin 2010 kur si vend kandidat po plotësonim të gjitha kriteret për anëtarësinë në EITI u vendos nga Këshilli i Ministrave që 25% e të ardhurave nga renta minerare ti kalonte pushtetit lokal ku kryhet aktiviteti.

Në vitin 2014 kjo përqindje u ul nga 25% në 5%.

Unë si anëtare e grupit të shoqërisë civile në bordin drejtues të EITI-t, sëbashku me koleget e kemi kundërshtuar fuqimisht çështjen e uljes së përqindjes së rentës. Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim (QSHZHI/ACDI) që unë drejtoj ka bëre një monitorim të rentës në 5 bashki ku ka gjetur problematika të shumta si në kuadrin ligjor ashtu dhe në zbatimin e proceduarve të rialokimit të rentës.

Renta minerare 5 % që ju takon me ligj nuk përfitohet plotësisht nga bashkitë; procedurat janë të komplikuara ku përfshihen katër institucione të cilët kërkojnë një koordinim shumë të kujdeshëm si dhe janë të tejzgjatura edhe procedurat e transferimit të parave nga thesari tek llogarite e bashkive përkatëse.

Ne kemi bëre rekomandimet e duhura ku kërkojmë eliminimin e të gjitha procedurave dhe propozojmë që: kur biznesi paguan për thesarin e shtetit detyrimin përkatës, renta 5% që i takon secilës bashki të paguhet drejtpërdrejtë në llogarinë e tyre bankare. Në këtë mënyrë pagesat kryhen në kohë reale dhe të plota duke eliminuar kohë, padrejtësi dhe fuqi njerëzore.

Gjithashtu ne, shoqëria civile, kemi kërkuar që përqindja e rentës të rritet deri në 50% por mos të zbresë nivelin që ka patur më pare 25%. Gjithashtu kemi kërkuar që e njëjta proçedurë të aplikohet edhe për fee koncesionare, një përqindje e të cilës t’ju shkojë bashkive të cilat për momentin nuk marrin asgjë.

Sa transparente është industria nxjerrëse në Shqipëri?

Nëse do të flasim për procesin e EITI-t dhe për detyrimet siç janë Raportet vjetore, në përgjithësi janë kryer ndonëse me vonesa herë për shkaqe fondesh apo dhe njerëzore.

E rëndësishme dhe ajo çka ne si shoqëri civile kërkojmë është që të gjitha institucionet përkatëse duke filluar nga Ministria e Energjitikës, e Financave, AKBN, drejtoritë e tatimeve e doganave, si dhe bashkitë  të kenë informacion të plotë e të përditësuar (i cili nuk ekziston) në faqet e tyre zyrtare mbi kompanitë, kontratat, detyrimet e tyre, investimet që bën pushteti lokal me fondet e rentes etj.

Kërkojmë që marrëveshjet hidrokarbure ashtu si lejet minerare, të jenë të hapura por të jenë gjithashtu dhe të disponueshme për këdo që kërkon informacion.

Transparenca kërkon që të identifikohen edhe pronarët e vërtetë, e thënë ndryshe përfituesit reale të kompanive operuese në industrinë nxjerrëse për të parë nëse njërëz me pushtët influencojnë për përfitime personale gjë që përbën bazën e korrupsionit.

Duhet të ketë gjithashtu infomacion të plotë nga institucionet përkatëse si dhe të gjitha kompanitë mbi punimet që kryejnë dhe që dëmtojnë mjedisin, çfarë detyrimesh kanë, si, kur dhe çfarë bëjnë për rehabilitimin e tij.

Si mendoni se do të ndikojë pandemia e Covid-19 në industrinë nxjerrëse në Shqipëri?

Si kudo në botë dëmet ekonomike nga Covid-19 janë shumë të mëdha, por veçanërisht për vendin tonë me ekonomi të dobët, ku ka shumë kompani të vogla jo të fuqishme për të cilat vështirësia është akoma më e madhe. Po të flasim më tej për karantinimin që ndodhi në muajt mars deri në maj kur qytetarët ishin të detyruar të qëndronin të shtëpi pa punë, sigurisht kuptohet që prodhimi ra shumë, eksportet vecanërisht të kromit dhe hidrokarbureve gjithashtu ndikuan tek të gjithë kompanitë dhe aktiviteti i tyre.

Ne kemi nje rrjet të konsiderueshem anëtarësh të shoqërisë civile në rrethe të ndryshme me të cilët monitorojmë çka ndodh në zonat e tyre. Sot morra informacionin që shumë kompani të vogla minerare rrezikojnë të mbyllen dhe do të duhet të largojnë punëtorët  e tyre për shkak të mungesës së likujditeteve.

A është industria nxjerrëse në Shqipëri në një linjë me zhvillimet botërore të kujdesit më të madh ndaj mjedisit?

Jo, nuk mund ta them! Ndonëse kompanitë kanë detyrime sipas kontratave ne nuk e dimë saktë nëse rehabilitimi kryhet apo jo. Informacionet që na vijnë janë që disa kompani kryesisht të guroreve të cilat janë pranë qyteteve  ndotin ajrin pa ndalim, mund të përmendim si rast Urën Vajgurore ku pronarët nuk marrin asnjë masë për gjetjen e metodave të përshtatëshme dhe shmangjen e dëmeve. Disa kompani hidrokarburesh apo përpunimit të tyre ndotin tokën p.sh. në Zharrëz, ujrat si në lumin që kalon në mes të qytetit të Fierit, apo sterilet e ngurta e të patretshme që mbulojnë sipërfaqen bimore dhe degradimin e tokës në Bulqizë etj. etj. Monitorimi nga institucionet përkatëse duhet të jetë i vazhdueshëm dhe kërkesa e llogarisë duhet të jetë shumë më e madhe për të detyruar kompanitë shfrytëzuese t’ju përmbahen standarteve.

Intervistë e kryer nga Ledio Kristafi për revistën Europa.