AlbNet-EITI, trajnim në Skrapar: Renta të përcaktohet bazuar në sasinë e nxjerrjes së produktit jo nga shitjet

Rrjeti i shoqërisë civile AlbNet-EITI zhvilloi nje tjetër trajnim në qytetin e Corovodës, Skrapar më 28 shkurt. Takimi kishte si synim rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile dhe administratës lokale për realizimin e standarteve të EITI-t. Në takim morën pjesë përfaqësues të komunitetit, zyrtarë të pushtetit lokal në bashkinë e Skraparit dhe drejtues të njësive administrative në këtë bashki. Drejtoresha e rrjetit dhe ndërkohë drejtore e Qendrës Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim, Anila Hajnaj theksoi rëndësinë e njohjes me inisiativën EITI dhe zbatimin e saj në zonat e industrisë nxjerrëse ndërsa vuri në dukej rezultatet e projektit të financuar nga ambasada zviceriane në Tiranë. Ne prezantimin e saj ajo ngriti disa probleme që lidhen me zbatimin e ligjeve dhe standartet që kërkon inisiativa e EITI-t ku Shqipëria është anëtare që nga viti 2013. Hajnaj tha se kjo inisiative siguron një menaxhim më të mirë të burimeve natyrore ndërkohë që kërkoi nga qeveria të ndante tarifën koncesionare me pushtetin lokal. Eksperti i EITI-t dhe njëkohesisht drejtues i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, Sami Neza tha se shoqëria civile ka një rol të rëndëishëm në zbatimin e EITI-t ndërsa prezantoi edhe moment nga projektligji i ri për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse që lidhet me pronësinë reale. Pjesëmarrësit gjatë diskutimeve të tyre ngritën një varg problemesh. Ata kërkuan që renta të përcaktohej në bazë të sasive që nxirren nga industria dhe jo të shitjes siç është tani; po ashtu u kërkua që në rastin e inerteve të kontrollohej më mirë përcaktimi i cilësisë së produktit pasi në mënyrë që të ulen pagesat pronarët e kompanive manipulojnë mbi cilësinë. Për ta problemi i ndotjes mjedisore dhe dëmtimit të ambientit nuk është zgjidhur pasi pagesa e tarifës mjedisore nga kompanitë është e pamjaftueshme për të reabilituar dëmet e mëdha që bëjnë kompanitë.