Në datën 11 shkurt Albnet-Eiti organizoi një trajnim në qytetin e Peshkopisë me përfaqësues të komunitetit dhe përfaqësues të shoqërisë civile në lidhje me zbatimin e standarteve të EITI-t nga industria nxjerrëse që zhvillohet në këtë bashki si dhe rritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e koalicionit të shoqërisë civile që trajton cështje të industrisë nxjerrëse në vend.
Gjatë takimit, drejtuesja e rrjetit shqiptar të shoqërisë civile për transparencën e industrisë nxjerrëse AlbNet-EITI , Anila Hajnaj shpjegoi nevojën që komuniteti i qytetit të Peshkopisë dhe autoriteteve vendore përgjithësi të jetë i njohur me EITI-n dhe se si kjo iniciativë përmes standarteve të saj ndikon në jetën e qytetarëve. Ajo informoi gjithashtu se përvec informacioneve sipas standarteve do të përfshihet edhe industria energjitike në raportimet e EITI për Shqipërinë
Diskutantët, anëtarë të shoqërisë civile ngritën pyetjen se përse qyteti i tyre nuk përfitonte nga shfrytëzimi i burimeve natyrore në një kohë kur ka minierë kromi si ajo e Balgjaj dhe një nga minierat më të famshme si ajo e mermerit të kuq në zonën e Muhurrit e njohur në të gjithë botën për shkak të cilësisë së lartë dhe shfrytëzimit të saj duke e eksportuar në të gjitha vëndet e Europës si në Itali, Francë, etj, madje e përdorur edhe në sheshin e Tiranës. Gjithashtu kërkuan që duhet të përfitonin dhe nga shfrytëzimi i burimeve hidrike të zonës.
Të pranishmit kërkuan që kur jepen koncesionet, në kritere të kërkohen projekte reale nga biznesi në dobi të komunitetit. Ato koncesione që nuk prodhojnë por mbahen në përdorim të ndryshojnë pronarë.
Gjatë takimit përfaqësues të komunitetit dhe të shoqërisë civile u ftuan ti bashkangjiten rrjetit të EITI-t për të bërë që zëri i komunitetit të ndihmojë në menaxhimin e pasurive natyrore sa më mirë e në interes të qytetarëve.