AlbNet-EITI organizoi më 5 shkurt 2020 një trajnim me përfaqësues të pushtetit vendor, anëtarë të komunitetit si mësues të shkollave të mesme e nëntëvjecare dhe nxënës të këtyre shkollave si dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Urën Vajgurore, Poshnjë, Ciflig etj. në lidhje me zbatimin e standarteve të EITI-t nga industria nxjerrëse e naftës dhe inerteve që zhvillohet në këtë bashki si dhe rritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e koalicionit të shoqërisë civile.
Gjatë takimit, drejtuesja e rrjetit shqiptar të shoqërisë civile për transparencën e industrisë nxjerrëse AlbNet-EITI, Anila Hajnaj tha se rrjeti që drejton po kërkon të detyrojë qeverinë të rrisë rentën minerare për bashkitë duke kerkuar minimumi 25% deri në 50%. Qeveria është në fazën e diskutimit dhe draftimit të këtyre ndryshimeve. Ajo tha se Bashkia e Urës Vajgurore përfiton shumë pak nga renta edhe pse kompanitë më të mëdha të interteve në vend operojnë vetëm pak metra nga qyteti i Urës Vajgurore.
Hajnaj ftoi përfaqësues të komunitetit dhe të shoqërisë civile ti bashkangjiten rrjetit të EITI-t për të bërë që zëri i komunitetit të ndihmojë në menaxhinmin e pasurive natyrore sa më mirë e në interes të qytetarëve.Sami Neza, drejtor i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, prezantoi në cilësinë e ekspertit disa problematike që lidhen me pronësinë reale dhe draftligjin për transparencën e industrisë nxjerrëse, cështje që u pritën me interes nga pjesëmarrësit. Ai i njohi ata me propozimet shoqërisë civile për këtë projektligj.
Diskutantët që morën pjesë theksuan se ndërmarrja e naftës që operon në Urën Vajgurore e konkretisht në Ciflik nuk raporton dhe as publikon se sa puse nafte janë në funksionim, duke shmangur pagesat e rentës. Një mësuese që mori pjesë në një takim tha se puset në zonën e saj ndotin ambientin afër shkollës ndërkohë që Albpetrol nuk ka dhënë asnjë ndihmë në përmirësimin e mjedisit në shkollë apo përreth saj.