AlbNet-EITI organizoi më 2 shkurt 2020 një trajnim me zyrtarë të bashkisë së Hasit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe specialistë të mjedisit dhe pyjeve në Has, në lidhje me zbatimin e standarteve të EITI-t nga industria nxjerrëse që zhvillohet në këtë bashki si dhe rritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e koalicionit të shoqërisë civile, mbeshtetur nga SECO.
Gjatë trajnimit, drejtuesja e rrjetit shqiptar të shoqërisë civile për transparencën e industrisë nxjerrëse AlbNet-EITI Anila Hajnaj, tha se industria nxjerrëse është e shterrueshme dhe si e tillë komuniteti duhet të sigurojë standarte përmes shfrytëzimit të saj. Hajnaj theksoi se industria nxjerrëse në Has ka shkaktuar probleme të mëdha në mjedis ndërkohë që bashkia ka përfitime modeste nga renta minerare. Në vijim ajo ftoi përfaqësues të komunitetit dhe të shoqërisë civile ti bashkangjiten rrjetit të EITI për të bërë që zëri i komunitetit të ndihmojë në menaxhimin e pasurive natyrore sa më mirë e në interes të qytetarëve.
Në vijim Sami Neza, drejtor i qendrës për Transparencë dhe Informim të lirë, prezantoi në cilësinë e ekspertit disa problematika që lidhen me pronësinë reale dhe draftligjin për transparencën e industrisë nxjerrëse, cështje që u pritën me interes nga pjesëmarrësit.
Diskutantët që morën fjalën në takim theksuan se gjobat për mjedisin e dëmtuar janë fare të vogla dhe ato nuk kompesojnë dëmet që shkaktojnë kompanitë në mjedis. Po ashtu edhe tarifa mjedisore që ato paguajnë përpara nënshkrimit të kontratave nuk janë të mjaftueshme për të rikuperuar mjedisin pas shfrytëzimit.
Përfaqësuesit e AlbNet-EITI premtuan se këto cështje do ti ngrejnë në mbledhjen më të afërt të MSG EITI, duke kërkuar edhe ndryshime të akteve rregullatore nëse është e domodoshme.